http://lajmepergjithshka.blogspot.com/

http://lajmepergjithshka.blogspot.com/

Monday, January 20, 2014

Shpresa Kastratit iu dha lamtumira e fundit

Sot Shpresa Kastrati hyri nën dhe, me shpresën se një ditë ligji do të sundojë mbi një traditë budallallëku. Njerëz që pa asnjë plumb lëshuan shtëpitë e tyre gjatë deportimit, sot po marrin jetë, duke mos u ndalur së shkrepuri kot plumba gjatë festave e ahengjeve. Një plumb i tillë, i këtyre njerëzve, mori edhe Shpresën! Të papërmbajtur - fëmijë e të rritur, burrë e gra; familjarë dhe të afërm të tjerë të Shpresa Kastratit, kanë bërë lutjet për Shpresën para se t’i jepnin lamtumirën e fundit. Shpresa Kastrati ndërroi jetë dje, nga lëndimet e marra natën e ndërrimit të moteve, në fshatin Raushiq, të Komunës së Pejës, nga një plumb qorr që e plagosi në kokë e që i depërtoi në qendrat vitale të trurit. Ajo ishte trajtuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë dhe dy ditë më vonë ishte raportuar për keqësim të gjendjes së saj shëndetësore. Axha i saj, Bashkim Veselaj, shpreson të jetë ky rasti i fundit i dikujt që ndërron jetë nga festimet e Vitit të Ri. Ai pret që edhe drejtësia të bëjë punën për të ndriçuar rastin. “Desha të falënderojë mjekësinë, e cila ka dhënë maksimumin që Shpresën ta kthejë në jetë. Por, deshi Zoti, e mori. U kisha bërë thirrje vendasve të mi të Raushiqit, gjithë shqiptarëve kudo që janë, që të festojnë me zemër e jo me armë. Shpresoj që kjo vrasje e Shpresës të jetë e fundit dhe mos të përsëritet më. Ju lutem, festoni me zemër e jo me armë”, thotë Veselaj. Zëdhënësi në Policinë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, thotë se Policia e Kosovës është duke hetuar rastin. “Rasti është në Prokurori, por tashmë nuk mund të flasim për individë të caktuar”, thotë ai. Përveç rastit të Shpresës, gjatë festimeve të Vitit të Ri ishin lënduar 13 persona nga përdorimi joadekuat i mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit. Në këtë natën janë arrestuar katër persona për posedim të paligjshëm të armëve.

No comments:

Post a Comment